Iftari Tradicional për Femrat në Tetovë
Sektori i Femrës i Organizatës OKH Merhamet organizoi një iftar tradicional për femrat në Tetovë, një ngjarje që u mbajt me shumë ngrohtësi dhe shpirt bashkimi. Ky aktivitet mblodhi nxënëset, studentet, aktivistet, profesoreshat dhe dashamirësit e organizatës sonë, të cilët u bashkuan për të kaluar një mbrëmje të veçantë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pas iftarit, të pranishmit u shoqëruan me një program të shkurtër, i cili përfshinte momente frymëzuese dhe reflektimi. Profesoresha Ibadeta Alija Luma, bëri duanë e bukës.
Moderatorja e ngjarjes, Genta Abdiji, përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i falënderoi ata që iu përgjigjën ftesës, duke e bërë këtë ngjarje të paharrueshme. Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkimit dhe forcimin e lidhjeve mes grave në këtë periudhë të veçantë të vitit.
Një moment emocionues ishte kur nxënësja hafize Eliza Emini këndoi një asher nga Kurani i Shenjtë.
Më pas, profesoresha Halime Shazivari mbajti një fjalim frymëzues. Ajo i inkurajoi të pranishmit të vazhdojnë të mbështesin njëra-tjetrën në çdo hap të jetës dhe të mbeten të bashkuara në ndihmën për të tjerët.
Ky iftar u shndërrua në një mundësi të shkëlqyer për të forcuar lidhjet e shoqërisë, për t’u lutur së bashku dhe për të ndarë momente të bukura në këtë muaj të bekuar.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan dhe morën pjesë në realizimin e këtij aktiviteti, duke e bërë këtë iftar të paharrueshëm.