Iftar i përbashkët në Tetovë nga OKH Merhamet dhe Hayrat Yardım
Në një atmosferë të mbushur me harmoni dhe frymën e Ramazanit, Organizata Humanitare “Merhamet” në bashkëpunim me shoqatën turke “Hayrat Yardım” organizuan një iftar të përbashkët në qytetin e Tetovës.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës, studentë, profesorë, miq dhe aktivistë të dy shoqatave, duke u bashkuar rreth një sofre të përbashkët në këto ditë të bekuara të Ramazanit. Iftari u shndërrua në një moment reflektimi, bashkimi dhe solidariteti.
Udhëheqësit e organizatave, z. Ridvan ef. Xhaferi dhe z. Emre Aracı, sollën mesazhe frymëzuese që theksuan rëndësinë e dijes, bashkëpunimit dhe forcimit të lidhjeve njerëzore përmes vlerave të përbashkëta shpirtërore dhe humane.
Ky aktivitet shërbeu jo vetëm si një darkë tradicionale, por edhe si një manifestim i vlerave që i bashkojnë komunitetet në frymën e mirëkuptimit dhe ndihmës së ndërsjellë.